August 27, 2020
KREU I GEORGE MARSHALL ALBANIA, ERMAL JAURI: NDIKIMI I ANËTARËSIMIT NË NATO I MAQEDONISË SË VERIUT

Zyrtarisht Maqedonia e Veriut në 27 mars 2020 u bë anëtarja e 30-të e Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas 27 vjetësh që kishte shprehur dëshirën për të qenë pjesë e saj, ndërsa në 30 mars përmes një ceremonie të veçantë të diktuar nga COVID-19, pa prezencën e ambasadorëve të vendeve NATO dhe në video konferencë me kabinetin qeveritar nga Shkupi, flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit njëkohësisht përpara selisë së NATO-s në Bruksel, në SHAPE, Mons si edhe në Komandën Aleate në Norfolk Virxhinia.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg duke uruar mirëseardhjen në familjen e madhe tha se ky është finalizimi i të gjitha përpjekjeve dhe reformave të realizuara nga Maqedonia e Veriut, duke përmendur edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë mbi dakordësimin e ndryshimit të emrit.

Artikulli 10 në Traktatin e Themelimit të NATO-s përcakton qartë politikën e dyerve të hapura, argument i përdorur shpesh nga klasa politike e vendeve anëtare NATO, por jo BE, si një akuzë drejtuar kësaj të fundit për nivelin e lartë të burokracisë dhe mungesën e vizionit strategjik. Harta e anëtarësimit fillon me Shqipërinë dhe Kroacinë (anëtare në BE) të cilat u anëtarësuan në 2009, Mali i Zi në 2017 si dhe hyrja më e fundit ajo e Maqedonisë së Veriut. Bosnia dhe Hercegovina, Gjeorgjia dhe Kosova janë pjesët e puzzle që mungon për të kompletuar panoramën e rajonit tonë. Por nëse Kosova gjithsesi është në “lupën” e NATO-s, pasi në territorin e saj prej dekadash shtrihet misioni KFOR-it, Gjeorgjia edhe Bosnia Hercegovina kanë ritme të ndryshme të progresit drejt Aleancës.

Në momente të tilla të gjithë kthejnë sytë nga Serbia, e njohur veçanërisht për lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe për qëndrimin e saj perpleks me NATO-n (nga njëra anë merr pjesë në stërvitjet e saj e bashkëpunon në kuadër të KFOR, nga ana tjetër mbështet hapur politikat ekspansioniste ruse duke dhunuar çdo ligj ndërkombëtar). Politika e dyerve të hapura NATO është një përgjigje e qartë e qëllimeve ruse, të dëshiruara për të peshkuar në rrjetë sa më shumë vende të “lëkundura” në qëndrimin e tyre. Edhe pse Maqedonia e Veriut rrethohet nga të gjithë fqinjët e saj, vende anëtare të Aleancës e për më tepër ka shumë afër kufirit të saj dhe bazën e NATO-s në Prishtinë, ai që pritet të ndryshojë më së shumti është perceptimi i qytetarëve të saj, sesa realisht situata e sigurisë kombëtare. Asnjë rrezik nuk i është kanosur deri më tani Maqedonisë, pavarësisht problemeve deri pak kohë më parë të pazgjidhura me Greqinë dhe Bullgarinë. Por NATO ka treguar disa herë se mendon e vepron më shumë strategjikisht sesa ushtarakisht, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajone tradicionalisht të vështira siç është ai i Ballkanit. E ka bërë këtë kur pranoi në gjirin e saj Shqipërinë, ndoshta jo plotësisht gati për të qenë pjesë e saj e po ashtu Malin e Zi, njëri vend më i vogël sesa tjetri.

Ndër përfitimet pas anëtarësimit në NATO renditen të qënurit pjesë e aleancës më të suksesshme të kohëve moderne, forcimi i rolit të vendit në arenën ndërkombëtare. Prania në Aleancë i jep një dimesion tjetër rrugës për anëtarësim në BE të vendeve anëtare. Edhe pse ritmet e përparimit nuk kanë qenë të njëjta, pasi Shqipëria i është bashkuar NATO-s në 2009, ajo së bashku me Maqedoninë e Veriut kanë hapur negociatat me familjen e madhe europiane vetëm muajin e kaluar.

Anëtarësimi në NATO përmirëson dukshëm klimën politike dhe atë të sigurisë e cila ndiqet nga mirëqënia ekonomike dhe rritja e besimit tek investitorët. Mos harrojmë se flasim gjithnjë për ekonomi të vogla, ku investimet në fushën e sigurisë janë gjithmonë e më të ulta. Qeveritë kombëtare çdo ditë përballen me çështje që i takojnë shëndetësisë apo arsimit e përballë këtyre dilemave, investimet në fushën e mbrojtjes mbeten të ulta. Për shumë shtete kjo padyshim do të jetë një sfidë më vetë por mbrojtja kolektive kërkon rritjen e investimeve, modernizimin si dhe rritjen e kapaciteteve. Vendi duhet të rrisë investimet në ushtri duke realizuar reformat e domosdoshme sipas standardeve euroatlantike duke u pajisur edhe me armatime moderne e duke investuar në teknologji të reja.

Të dhënat e pasanëtarësimit flasin për një rritje të dukshme të nivelit të sigurisë duke bërë më miqësor klimën për biznesin, sidomos për atë të madh. Një gjë e tillë ka ndodhur me Shqipërinë, Malin e Zi por edhe Çekinë. Sigurisht që për koorporatat e mëdha, të cilat nuk janë prezente dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me një vend të caktuar, analizat e tyre të riskut marrin për bazë indikatorë të ndryshëm, e sigurisht që ky do të ishte një plus i madh. Perceptimi për ekonominë e Maqedonisë së Veriut rritet si destinacion atraktiv për investime të huaja direkte dhe po ashtu për investime më të mëdha vendore. Perceptimi pozitiv për situatën e sigurisë do të ndikojë në uljen e çmimit të huasë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Kjo përkthehet në sigurim financimesh më të lira për kapitalin shtetëror, e po ashtu rritje më të madhe të eksporteve. Gjithashtu anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të bëjë të mundur që kompanitë vendase të mund të konkurrojnë njësoj si ato të 29 vendeve të tjera anëtare për të ofruar shërbimet apo materialet e tyre për përmbushjen e kërkesave të vetë organizatës. Aplikimi për një procedurë të tillë realizohet nga vetë NATO pa ndërmjetësues dhe me një garë të hapur, duke rritur mundësinë që bizneset vendore të jenë oportune në këtë drejtim.

Ulja në një tryezë si ajo e NATO-s, si i barabartë mes të barabartëve nënkupton edhe marrjen përsipër të detyrimeve e angazhimin për të bërë më të mirën në këtë drejtim. Risjellim në vëmendje se brenda vitit 2024, çdo vend anëtar i NATO-s duhet të çojë në 2 për qind buxhetin dedikuar mbrojtjes. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut do të ketë dhe një detyrim të përvitshëm për të derdhur në arkën e NATO-s një shumë të caktuar, në varësi të buxhetit të vendit dhe mesatares së vendeve anëtare. Ndërkohë anëtarësimi në NATO sjell detyrimisht pjesëmarrjen në organizma të reja, ku deri më tani aderimi nuk ishte i detyrueshëm. Një prej tyre është edhe Asambleja Parlamentare e NATO-s me qendër në Bruksel. Çdo parlament kombëtar duhet të caktojë një delegacion të përhershëm, i cili merr pjesë në aktivitetet e Asamblesë sipas kalendarit vjetor. Maqedonia e Veriut duhet të kontribuojë me tre deputetë të saj në këtë organizëm dhe po ashtu duhet të derdhë kuotën vjetore, duke filluar nga ky vit, edhe pse prej një viti deputetët e saj kanë pasur statusin e vëzhguesit në Asamble.

Ermal Jauri
President
Geroge C. Marshall Albania

RELATED BLOGS
June 5, 2021
HENRY KISSINGER – “REFLEKTIME MBI PLANIN MARSHALL” (74
May 19, 2021
HENRY A. KISSINGER: “COVID-19” DO TA NDRYSHOJ PËRGJITHM
October 23, 2020
ERMAL JAURI: GEORGE C. MARSHALL ALBANIA DHE UAMD FORUM MBI �