Departamenti amerikan i Shtetit publikoi ditën e mërkurë raportin vjetor në lidhje me terrorizmin në botë. Në terma të pëgjithshëm raporti vlerëson suksesin e arritur nga SHBA dhe aleatët e tij përsa i përket shkatërrimit të të ashtuquajturit Kalifat të ISIS në Irak dhe Siri.
Në kapitullin e raportit për Shqipërinë thuhet se vendi “vazhdoi mbështetjen e fortë në përpjekjet kundër terrorizmit në 2019, dhe kontribuoi tek Koalicioni Global për të Mposhtur ISIS-in”. Megjithatë raporti vijon duke saktësuar se kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri konsiston pikërisht tek luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, radikalizimi nga terrorizim i të rinjve shqiptarë dhe komplotet e Iranit kundër grupit opozitar Mujahedeen-e-Khalq (MEK), anëtarë të të cilit strehohen në Shqipëri”.
Për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme në mënyrë urgjente që të ketë një program të veçantë për rehabilitimin e të kthyerëve nga këto arena të nxehta ndërkohë nuk duhet harruar fakti se Shqipëria ende nuk ka rikthyer të gjithë të “burgosurit” nga kampet e luftës që gjenden në këto zona. Sigurisht që riintegrimi nuk është një detyrë e lehtë dhe aq më pak lehtësisht e realizueshme por përpjekjet e qeverisë duhet të shkojnë në këtë drejtim, për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm për këtë kategori, për të gjetur ambjentin e nevojshëm për një fillim të ri.
Po ashtu nuk duhet harruar kurrsesi përpjekja Institucioneve Shqiptare për të hequr vendin tonë nga lista e zezë e vendeve që kanë prodhuar luftëtarë të huaj ose sic njihen ndryshe “foreign fighters”, duke u përpjekur kështu të “zgjidhë punë” që në fazën fillestare.
Udhëtimet nga Shqipëria drejt organizatave terroriste, pas vitit 2015 e në vijim, janë ulur ndjeshëm. Rreth një e treta e tyre janë kthyer tashmë, kryesisht para adresimeve ligjore. Siç përcakton edhe raporti i vitit 2018 i SHISH: “Në terma të përgjithshëm, të kthyerit në rajondhe në Shqipëri kanëruajturprofiltëulët por, shumë prej Luftëtarëve të Huaj Terroristë të kthyer në vendet e origjinës kanë gjetur të njëjtat kushte jetese, çka ka ndikuar në radikalizmin e mëtejshëm të tyre dhe vijimin e veprimtarive ekstremiste apo bërjen pjesë të komploteve të zbulura terroriste.
Për trajtimin e shkaqeve të radikalizimit që nxit ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, Qeveria e Republikësë së Shqipërisë ka hartuar dhe po zbaton “Strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm”, me qëllim angazhimin e të gjithë shoqërisë në trajtimin e kësaj dukurie.
Po ashtu, raporti amerikan thotë se organet e rendit i rritën përpjekjet për të kundërvepruar ndaj kërcënimeve terroriste dhe se Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit mori pjesë në disa operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm. Raporti përmend faktin që në tetor policia njoftoi për parandalimin e sulmeve të planifikuara në vitin 2018 nga agjentë iranianë kundër anëtarëve MEK, që jetojnë në Shqipëri.
Por për të arritur edhe më shumë rezultat lipset bashkëpunim edhe më i ngushtë mes institucioneve shtetërore, agjencive ligjzbatuese dhe shërbimeve partnere, në kuadër të monitorimit dhe parandalimit të veprimtarive terroriste brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu këto përpjekje për bashkëpunim do të duhet të fokusohen edhe në monitorimin epërpjekjeve për indoktrinim, radikalizim e rekrutim të shtetasve shqiptarë në këto organizata terroriste. Megjithatë forcimi i kontrolleve kufitare, (tashmë prej dy vitesh Shqipëria është i vetmi anëtar jo i Bashkimit Evropian që i ka hapur dyert FRONTEX, strukturës europiane për menaxhimin e kufijve), ka bërë që rezultatet të jenë të dukshme dhe Policia e Shtetit të ketë një performancë të mirë në këtë drejtim. Megjithatë rreziku dhe sfidat nga kjo kategori mbeten konstante, për shkak të vështirësive në identifikimin e tyre, të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara apo nga mundësimi i kalimeve të jashtëligjshme nga rrjete e individë të përfshirë në trafikun njerëzor.
Sistemi informativ në Shqipëri është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të gjitha hallkat e zinxhirit duhet të mirëfunksionojnë. Agjencitë ligjzbatuese në vend që operojnë në këtë sektor janë të shumta, dhe rast pas rasti shfaqen përplasje kopetencash. Shërbimi Informativ Shtetëror, Policia e Shtetit por edhe Agjencia e Itenligjencës dhe Mbrojtjes janë disa prej qelizave “mëmë”, të cilat duhet të jenë në kontakt edhe me agjencitë e tjera më të vogla të krijuara për këtë qëllim. Këto agjenci japin kontribute të vlerësuara edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut, sidomos në luftën kundër terrorizmit. Gjithsesi është mëse e domosdoshme që rrjeti informativ të qëndrojë larg ndikimeve politike dhe drejtuesit e tyre që shpesh zgjidhen nga politika të tregojnë se mund të dalin mbi palët për të arritur rezultate të prekshme.
Po ashtu procesi i llogaridhënies dhe i kontrollit të këtij sektori mbetet i paqartë. Nga njëra anë kontrollet financiare i takojnë Këshillit të Ministrave (për SHISH) por edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili do të duhet të mbikqyrë përdorimin e fondeve shtetëtore. E kontrolli i veprimtarisë së tyre shpërndan kopetencat ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Të gjitha këto hapa shpesh çojnë institucionet dhe drejtuesit e tyre në konflikt, të cilët në përpjekjen për të kënaqur njërën apo tjetrën palë, ndërmarrin veprime që nuk shkojnë në drejtim të interesave kombëtare.
“Korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit mes agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm mes asgjencive dhe një sistem gjyqësor i dobët, vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit dhe rendit në të gjitha nivelet”, thuhet në raportin amerikan. Zbatimi i reformave në sektorin e drejtësisë vazhdon, duke filluar me vetingun e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion, paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar, thuhet në raport.
Megjithatë mungesa e një Gjykate Kushtetuese funksionale përbën pengesë në zbatimin e mëtejshëm të rekomandimeve të partnerëve europiane. Sipas mendimit të Komisionit të Venecias nënvizoi nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim midis institucioneve shtetërore. Mandatet dhe pushtetet e tyre duhet të respektohen në mënyrë që ata të përmbushin objektivat e tyre institucionale, gjithmonë duke kërkuar përfitim më të mirë për qytetarët e Shqipërisë.
Departamenti i Shtetit thotë se në 2019, Shqipëria miratoi legjislacion për të adresuar shqetësimet, lidhur me “efektivitetin e ulët” në drejtim të konfiskimit, hetimit dhe ndjekjen ligjore për financat nga terrorizmi dhe sanksionet financiare (të ngritura nga Komisioni i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave).
President George C. Marshall Albania*
/Ora News.tv/