Pandemia e Koronavirusit do ta ndryshoj përgjithmonë Rendin Botëror
Nga Henry A. Kissinger
(Përktheu: Melsen Kafilaj – George C. Marshall Albania Fellow)
SHBA duhet ti mbrojë qytetarët e saj nga pandemia ndërsa nis punën urgjente për planifikimin e një epokë të re.
Atmosfera sureale e pandemisë së Covid-19 më solli në vëmëndje ndjesitë e mia djaloshare në Divizionin 84 të Këmbësorisë gjatë Betejës së Bulge. Tani, po ashtu si në vitin e largët 1944 ekziston ndjenja e një rreziku të saponisur, i cili nuk synon ndonjë person të veçantë por godet rastësisht dhe në mënyrë shkatërruese.Por ekziston një ndryshim i rëndësishëm mes asaj kohe të largët dhe kohës sonë.Qëndresa amerikane atëherë u forcua nga një qëllim kombëtar madhor.Tani, në një vend të ndarë, veçse një qeveri efikase dhe largpamëse është e nevojshme për të kapërcyer pengesat e pashembullta për nga madhësia dhe qëllimi global.Mbështetja e besimit të publikut është thelbësore për solidaritetin shoqëror, për marrëdhëniet e shoqërive me njëra-tjetrën dhe për paqen e stabilitetin ndërkombëtar.
Kombet bashkohen dhe lulëzojnë mbi besimin se institucionet e tyre mund ti parashikojnë fatkeqësitë, ta ndalojnë ndikimin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin. Kur të mbarojë pandemia e Covid-19, institucionet e shumë vendeve do të perceptohen se kanë dështuar. Nëse ky gjykim është objektivisht i drejtë, kjo është e parëndësishme. Realiteti është se bota kurrë nuk do të jetë e njëjtë pas koronavirusit. Të argumentosh tani për të kaluarën vetëm sa e bën më të vështirë të bësh atë që duhet bërë.
Koronavirusi ka goditur me një shkallë dhe egërsi të paparë.Përhapja e tij është eksponenciale.Rastet në SHBA po dyfishohen çdo pesë ditë.Në këtë moment që po shkruaj nuk ekziston ende një kurë.Furnizimet mjekësore janë të pamjaftueshme për të përballuar shtimin e valëve të rasteve.Njësitë e kujdesit intensiv janë plot dhe ka gjasa që të mbingarkohen.Testimi është i papërshtatshëm për detyrën e identifikimit të shkallës së infeksionit dhe aq më pak të ndalojë përhapjen e tij.Një vaksinë e suksesshme mund të jetë 12 deri në 18 muaj larg përgatitjes.
Administrata amerikane ka bërë një punë gjithëpërfshirëse për shmangien e një katastrofe aktuale.Testi përfundimtar do të jetë nëse përhapja e virusit mund të parandalohet dhe gjëndja më pas të kthehet në atë mënyrë dhe në atë shkallë që ruan besimin e publikut në aftësinë e amerikanëve për të vetqeverisur.Kjo përpjekje gjatë krizës, sado e madhe dhe e domosdoshme, nuk duhet që ta shtyjë kurrësesi detyrën urgjente të fillimit të një projekti paralel për kalimin në rendin pas-pandemik.
Udhëheqësit po merren me krizën duke e trajtuar atë mbi një bazë kryesisht kombëtare por efektet shpërbërëse të virusit në shoqëri nuk njohin kufij.Ndërsa sulmi ndaj shëndetit njerëzor shpresojmë që të jetë i përkohshëm, trazirat ekonomike dhe politike që ai ka shkaktuar mund të zgjasë për breza të tërë. Asnjë shtet, madje as edhe vet SHBA nuk mundet që ta kapërcejë këtë pandemi me një përpjekje thjesht kombëtare.Adresimi i nevojave të momentit, në fund të fundit duhet të shoqërohet me një vizion dhe një program bashkëpunues global.Nëse nuk mund t’i bëjmë të dyja së bashku, do të përballemi me më të keqen nga secila në të ardhmen.
Duke nxjerrë mësime nga zhvillimi i Planit Marshall dhe Projekti Manhattan, SHBA-të janë të detyruara të ndërmarrin një përpjekje madhore në të paktën tre fusha kryesore. Së pari, të mbështesim rezistencën globale kundër sëmundjeve infektive.Triumfet e shkencës mjekësore si vaksina e poliomelitit dhe zhdukja e lisë apo mrekullia e dukshme tekniko-statistikore e diagnozës mjekësore përmes inteligjencës artificiale, na kanë tërhequr në një vetëkënaqësi të rrezikshme.Ne kemi nevojë që të zhvillojmë teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e infeksionit dhe krijimin e vaksinës në përpjestim me masën e madhe të popullsisë.Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet që të përgatiten vazhdimisht për të mbrojtur njerëzit e tyre nga pandemitë përmes grumbullimit, planifikimit bashkëpunues dhe eksplorimit në kufijtë e shkencës.
Së dyti, të përpiqemi për të shëruar plagët e ekonomisë botërore.Liderët botëror kanë nxjerrë disa mësime të rëndësishme nga kriza financiare e vitit 2008.Por kriza ekonomike aktuale është edhe më komplekse.Tkurrja e lëshuar nga koronavirusi është në shpejtësinë e vet dhe në shkallë globale, ndryshe nga çdo gjë e njohur më parë në histori. Dhe masat e domosdoshme të shëndetit publik si distancimi social, mbyllja e shkollave apo dhe bizneseve po kontribuojnë në këtë vuajtje ekonomike.Programet duhet të kërkojnë gjithashtu të përmirësojnë duke zbutur efektet e një kaosi të afërt në popullatat më të dobëta dhe më të cënuara të botës.
Së treti, të mbrojmë parimet e rendit liberal botëror.Legjenda themelore e qeverisë moderne është një qytet me mure i mbrojtur nga sundimtarë të fuqishëm, herë despotikë dhe herë të tjera dashamirës, por gjithnjë mjaft të fortë për të mbrojtur njerëzit nga një armik i jashtëm. Mendimtarët e Iluminizmit e riformuluan këtë koncept, duke argumentuar se qëllimi i një shteti legjitim është që të siguroj nevojat themelore të njerëzve të cilat janë: siguria, rendi, mirëqënia ekonomike dhe drejtësia.Individët nuk mund t’i sigurojnë këto gjëra vetë. Pandemia ka nxitur një anakronizëm, një ringjallje të qytetit të rrethuar me mure në një kohë kur prosperiteti varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve.
Demokracitë e botës duhet të mbrojnë dhe mbështesin vlerat e Iluminizmit. Një tërheqje globale nga balanca e fuqisë me legjitimitetin do të bëjë që kontrata shoqërore të shpërbëhet si brenda po ashtu edhe ndërkombëtarisht.Megjithatë, çështja mijëvjeçare e legjitimitetit dhe e fuqisë nuk mund të zgjidhet njëkohësisht me përpjekjen për të kapërcyer murtajën Covid-19. Përmbajtja është e nevojshme në të gjitha anët, qoftë në politikën e brendshme po ashtu edhe në diplomacinë ndërkombtare.Prioritetet duhet të vendosen.
Ne e lamë pas Betejën e Bulge dhe shkuam drejt një bote e cila e rriti mirëqënien dhe dinjitetin njerëzor.Tani jetojmë në një periudhë epokale.Sfida historike për liderët është që ta menaxhojnë krizën ndërsa ndërtojnë të ardhmen. Dështimi mund ti vërë zjarrin botës.
The Wall Street Journal, 3 Prill 2020